Universiteti i Tiranës > Fakulteti i Shkencave Natyrore > Departamenti i Kimisë Industriale
Fakulteti i Shkencave Natyrore
«DEPARTAMENTI I KIMISE INDUSTRIALE Godina A»

Përgjegjës i departamentit

PROF.DR. ROZANA TROJA <<CV>>
E-mail: rozana.troja@fshn.edu.al

HISTORIKU I DEPARTAMENTIT TË KIMISË INDUSTRIALE

Aktualisht Departamenti i Kimisë Industriale, është një nga shtatë Departamentet përbërëse të Fakultetit të Shkencave Natyrore. Historia e krijimit të tij është e lidhur ngushtësisht me atë të krijimit të Fakultetit të Shkencave Natyrore. Fakulteti i Shkencave Natyrore është krijuar me themelimin e Universitetit të Tiranës, në vitin 1957. Fakulteti, filloi aktivitetin me përgatitjen e studentëve për 4 diploma, njëra prej të cilave ishte dhe ajo e Kimisë Industriale. Kimia Industriale, është një nga degët më të vjetra në Fakultetin e Shkencave Natyrore. 

Organizimi i degës për të realizuar procesin mësimor e shkencor, mbështetej në atë të katedrave. Fillimisht kanë që në tri katedra me 10 pedagogë: Katedra e Kimisë së Përgjithshme dhe Inorganike; Kimisë Organike dhe ajo e Kimisë Analitike dhe Teknologjisë. Më pas nga tri katedrat e mësipërme filluan të formohen katedra të reja: si ajo e Teknologjisë Kimike dhe Merceologjisë; Kimisë Fizike; si dhe bërthama (sektorë) shkencorë, që plotësonin më mirë si nevojat e procesit mësimor, ashtu edhe ato të kërkimit shkencor. Këto zhvillime bënë që nga fillimi i vitit 1990, Dega e Kimisë u riorganizua në tri Degë, duke përgatitur kështu tri Diploma: Kimi Industriale; Kimi Ushqimore dhe atë të Kimisë së Përgjithshme. Kjo përbën edhe datën e themelimit të Departamentit të Kimisë Industriale; por që zyrtarisht nuk njihej emërtimi i tij dhe funksionet i kryente Këshilli i Degës. Vetëm pas viteve 1999, Dega e Kimisë u organizua në dy Departamente: Departamenti i Kimisë Industriale dhe Departamenti i Kimisë.

Gjatë këtyre viteve, ishin bërë shumë ndryshime në drejtim të krijimit të katedrave e sektorëve shkencor. Kështu tashmë ishin krijuar katedra të reja si ajo e Kimisë dhe Teknologjisë Ushqimore dhe Mikrobiologjisë, Katedrat e Teknologjisë Kimike Inorganike; Katedra e Teknologjisë Kimike Organike si dhe Katedra e Proceseve dhe Aparateve (Inxhinieria Kimike).

Po kështu ishin konsoliduar dy bërthama shkencore: e Kimisë Ushqimore dhe Mikrobiologjisë Teknike dhe ajo e Teknologjisë Kimike. Bërthamat Shkencore kryenin aktivitetin e tyre brenda seksioneve përkatëse. Të gjitha këto njësi mësimore e shkencore, tashmë me një staf Pedagogjik me përvojë të gjatë dhe shumë të kualifikuar, çuan në formimin e Departamentit të Kimisë Industriale. Kështu në kuadër të ristrukturimit të Fakultetit të Shkencave Natyrore në vitin 1999 me vendim të Këshillit të Ministrave, njihet zyrtarisht themelimi i Departamentit të Kimisë Industriale.